Në Kosovë, po vazhdon të bëjë “zhurmë” mesazhet që trajneri i Llapit Tahir Batatina, i kishte dërguar arbitrit të ndeshjes Lllapi – Gjilani Fatlum Berisha, madje duke i përmendur edhe djalin që nuk jeton më.
Në këtë “vorbull”, ka reaguar për herë të parë trajneri Batatina, përmes postimit në rrjetin social “Facebook”, duke dhënë versionin e tij.
“Të nderuar sportdashës! Pretendimi për gabim të qëllimshëm me qëllim viktimizimi nuk qëndron. Unë nuk kam përmendur familjen dhe kjo çështje nuk ka të bëjë me familjen, por me gabime të qëllimshme që po na bëhen nga i njëjti person në dy ndeshje radhazi.
Asnjëherë nuk e kam menduar se çfarë synon të arrijë duke u viktimizuar Fatlum Berisha. Megjithatë, nëse këto janë gabime të qëllimshme, i qëndroj deklaratës sime dhe besoj se çdo padrejtësi duhet të marrë ndëshkimin e merituar profesional, por asnjëherë me konotacionin e dhënë.
Nuk është e drejtë të humbet mundi dhe djersa e një klubi, e një qyteti, si dhe e lojtarëve dhe stafit që punojnë gjatë gjithë javës për të përgatitur një ndeshje futbolli. Llapi do të ia dal! Me respekt, Tahir Batatina”, shkruajti trajneri 48-vjeçar.
