Kur kanë mbetur edhe 8 javë në përfundim të Kategorisë së Parë, gara vijon të mbetet aktive mes Skënderbeut dhe Laçit, ku distanca mes tyre qëndron në 3 pikë.
Pas fitoreve respektive të shtunën përballë Lushnjes dhe Apolonisë, të dyja këto skuadra ecin të sigurta në objektivin drejt rikthimit në Abissnet Superiore.
Krahas betejës mes klubeve, interesante mbetet dhe lufta mes golashënuesve për Këpucën e Artë. Në krye të klasifikimit qëndron sulmuesi i Skënderbeut, Saleh Nasr, i cili numëron 14 gola në 23 ndeshje të luajtura.
Surprizë e këtij edicioni është sulmuesi i Korabit, Taulant Marku. Edhe pse skuadra e tij ndodhet në vendin e 8-të në renditje me 28 pikë, Marku qëndron në vendin e dytë me një gol më pak se egjiptiani në po kaq ndeshje. Të njëjtin numër golash si Marku, ka dhe mesfushori i Laçit, Olsi Myrta me një ndeshje më pak.
8 ndeshjet e radhës priten të jenë përcaktuese për fituesin e këtij edicioni, si dhe për fituesin e Këpucës së Artë.
