
Pogradeci dhe Lushnja u ndalën në barazim pa gola sot në javën e parë të Kategorisë së Parë. Trajneri i lagunarëve, Erjon Xhafa doli në prononcim për mediat.
“E kishim vlerësuar shumë ndeshjen me Pogradecin pasi është një skuadër e mirëfinancuar me një merkato të mirë. Ne kemi pasur shumë mungesa dhe e kemi pasur të pamundur të bënim diçka tjetër. Strategjia jonë ishte të ndalnim Pogradecin.
Kemi pasur raste në pjesën e parë dhe të dytën, por nuk ishim cinikë, jam i kënaqur me një pikë siç shkoi ndeshja. Pjesën e parë mendova të limitoj forcën e Pogradecit duke e ditur që kanë një ekip të mirë. E prisja të më merrnin metra, kemi duruar dhe kemi mbrojtur mirë.
Kemi pasur probleme me sulmuesit që më mungojnë dy të sapoardhur, plus Hoxhën që e kam të dëmtuar. Kam pak alternativa në këtë repart dhe nuk mund të guxoja. Rezultati i barazimit ishte i drejtë për të dyja skuadrat”, u shpreh Xhafa.