Skënderbeu dhe Laçi janë skuadrat të cilat matematikisht e kanë siguruar rikthimin në Superiore sezonin e ardhshëm. Kjo pasi distancat janë rritur ndjeshëm dhe forma mbresëlënëse në javët e fundit, japin bindjen se dy vendet e para mund të quhen “të hipotekuara” deri në përfundim të këtij sezoni.
Të besuarit e Ernest Gjokës shënuan një tjetër hap të rëndësishëm në transfertën e Fierit duke mposhtur minimalisht 1-0 Apoloninë. Po ashtu, Laçjanët me të njëjtin rezultat fituan gjithashtu në transferën e Korabit, duke ecur të qetë drejt kthimit në elitë. Ky ishte dhe suksesi i 12-të radhazi për skuadrën e Vladimir Gjonit, çfarë tregon dhe momentin e tyre fantastik në të Parën.
Edhe për Pogradecin, rruga drejt ngjitjes në Abissnet Superiore mbetet një realitet gati i “arritur”. Momentalisht në vendin e tretë me 55 pikë, 5 më pak se Laçi i vendit të dytë, skuadra e Emiljano Çelës është e uritur për ta mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme fazën e mbetur të kampionatit.
Sakaq, gara mbetet e fortë, si për vendet e fundit në fazën e play-off, ashtu dhe në duelet e mbijetesës. Barazimi mes Lushnjes dhe Luftëtarit pa gola lë të hapur gjithçka për vendin e 10-të që të çon drejt play-out.
