Pogradeci i drejtuar nga trajneri Emiljano Çela ka marrë një fitore “thriller” kundër Skënderbeut në Korçë. Goli i Nasr në minutën e 25 hodhi idenë se të besuarit e Ernest Gjokës e “hipotekuan” fitoren, ama nuk mendoi kështu Pogradeci.
Në minutën e 48, Kazeem barazoi shifrat, teksa në “frymën e fundit”, Danladi “shpiku” gol të jashtëzakonshëm, duke lënë të shtangur vendasit dhe i siguroi 3 pikët liqenorëve.
Pas 15 javësh në Kategorinë e Parë, Pogradeci grumbullon 26 pikë, 1 më pak se Laçi i vendit të 2-të. Dy vendet e para të dërgojnë direkt në Superiore, ndërsa pozicioni i 3-të kalon përmes “play-off”.
Pas nisjes së “trazuar” të sezonit, Pogradeci ka marrë trajtën e një “tanku”, teksa ka treguar se mund të “shtyp” çdo rivalë në objektivin “Superiore”.
