Transferta në Laç mund të quhet dhe "finalja" e sezonit për Pogradecin që luan në transfertë ndeshjen e vlefshme të javës së 31-të në Kategorinë e Parë.
Misioni për t'u ngjitur në elitë është përmbushur pjesërisht dhe kanë mbetur vetëm pak ndeshje për të formalizuar dhe matematikisht objektivin madhor.
Vetë kapiteni i liqenorëve, Vangjel Zguro ka reaguar me një postim në rrjetin e tij social duke postuar në Instastory pamje nga stërvitja e skuadrës, duke lënë një shkrim të shkurtër që simbolizon dhe situatën e ngrohtë në klub.
"Ekipi", është fjala që zgjedh Zguro për të përshkruar entuziasmin në kampin pogradecar e që identifikon harmoninë mes grupit, të cilët së bashku me trajnerin Emiljano Çela si arkitekti i ecurisë brilante në kampionat, kërkojnë që emri i Pogradecit të figurojë në Abissnet Superiore në sezonin e ardhshëm.
