Sot do të luhen dy ndeshjet e “play-out”-it në Kategorinë e Parë, aty ku do të përcaktohen dhe verdiket e fundit mbi skuadrat që do të vazhdojnë të luajnë në këtë kampionat edhe edicionin e ardhshëm si dhe ato që do të bien në Kategorinë e Dytë.
Kukësi “mat” forcat me Bylisin B, në ndeshjen që do të zhvillohet në stadiumin e Vorës, teksa në anën tjetër Luftëtari “përplas brirët” me Sopotin në stadiumin “Flamurtari”.
Kujtojmë se verilindorët e mbyllën sezonin e rregullt me 31 pikë në total në vendin e 10-të, ndërsa Bylis B u rendit në vendin e 3-të në Grupin B të Kategorisë së Dytë me 41 pikë. Sakaq, Luftëtari u pozicionua një vend më lart në renditjen e klasifikimit nga Kukësi në kuotën e 34 pikëve, teksa kundërshtari i tyre, Sopoti e mbylli grupin A në vendin e dytë me 48 pikë.
Të dyja këto takime premtojnë “luftë” të hapur dhe pritet të nisin në orën 16:00.
