Kategoria e Parë do të zbresë në fushë për javën e 30-të, ku do të luhen 6 sfida në orën 15:00.
Pogradeci luan përballë Kukësit dhe në shtëpinë e tyre janë të gatshëm të dhurojnë spektakël, pasi mposhtën 5-1 Kastriotin fundjavën që kaloi.
Skuadra e Emiljano Çelës ka të gjithë grupin e plotë dhe do të tentojë të marrë fitoren e 9-të radhazi për të vazhduar drejt misionit për ngjitjen në Abissnet Superiore sezonin e ardhshëm.
Verilindorët në anën tjetër kanë rigjetur veten pasi morën fitoren e tretë radhazi ndaj Apolonisë, duke përmirësuar pozitat, teksa gjenden në vendin e 9-të me 27 pikë dhe në stadiumin “Pogradeci” do të kërkojnë të mbajnë të njëjtin ritëm për të qëndruar edhe sezonin e ardhshëm në këtë kategori.
Në sfidat e tjera, kryesuesit e tabelës, Skënderbeu dhe Laçi luajnë në transfertë përballë Burrelit dhe Kastriotit. Fjala e fundit e tyre nuk është dhënë akoma për të konsoliduar edhe matematikisht rikthimin në elitë, ndaj dhe në këto duele do të shërbejnë që këto dy skuadra të hedhin një hap më shumë për të njëjtin objektiv.
Sakaq, Besa e Kavajës pret Lushnjen, ndërsa Iliria Luftëtarin. Po ashtu, edhe Korabi luan po në shtëpi ndaj Apolonisë.
