Ditën e sotme do të luhen 5 ndeshje të vlefshme për javën e fundit të Kategorisë së Parë. Edhe pse në lojë nuk është kreu, lufta është e ashpër për zonën e mbijetesës dhe atë të “play-off”.
Pogradeci pret në shtëpi Luftëtarin, me liqenorët që kanë blinduar vendin e tretë, ndërsa gjirokastritët s’kanë si ti largohen zonës së “play-out”, por nuk rrezikojnë rëniën direkte. Në krahun tjetër, Korabi kërkon 3 pikët ndaj Ilirisë, për të tentuar 6-shen e parë.
Në krahun tjetër, Apolonia kërkon pikë jetike përballë Burrelit, me këta të fundit në kërkim të “play-off”. Kukësi nuk dëshiron që të bjerë direkt nga kategoria, duke tentuar fitoren për të siguruar të paktën “play-out”.
Ndeshja tjetër është ajo mes Lushnjës dhe Kastriotit. Lushnjarët shpresojnë tek humbja e Kukësit, por përballë krutanëve u duhet fitorja për të siguruar “play-out”.
Megjithatë Kastrioti është gjithashtu në fushë për fitore, për të mbajtur gjallë shpresat e Superiores nëpërmjet “play-off”.
