I riu vlonjat, Anxhelo Tare i cili u përfshi në një aksident rrugor më 22 prill në autostradën Lushnjë-Fier, ka ndërruar jetë ditën e sotme. Motoçikleta e tij u mor “zvarrë” nga një automjet tip “Volkswagen”, që drejtohej nga 50-vjeçari Zabit Hoxha.
Tare u transportua me urgjencë drejt spitalit të Lushnjës, në gjendje kritike. Por, 8 ditë pas këtij aksidenti, 28-vjeçari ka humbur jetën, duke lënë pas një dhimbje te familjarët dhe ata që patën fatin ta njohin.
Ndarja nga jeta e Anxhelo Tares ka “pikëlluar” edhe klubin e Flamurtarit. Këta të fundit kanë reaguar në rrjetet sociale me një mesazh ngushëllimi, duke shprehur qartë mërzinë e madhe që ka “kapluar” në kampin kuqezi.
“Sot është ditë zie për familjen kuqezi. Klubi shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të ANXHELO TARE. Në këto momente të vështira, jemi pranë familjes dhe të afërmve të tij. U prehtë në paqe”, shkruan klubi vlonjat në rrjetet sociale.
