
Sfida Serbi – Shqipëri ka marrë përmasa të mëdha. Kudo flitet për këtë përballje, e cila vlen më shumë se 3 pikë, vlen për krenarinë e një kombi dhe për prestigj.
Për shkak të historisë dhe të kaluarës, përballjet mes 2 ekipeve asnjëherë nuk do të jenë të qeta. As kjo e sotmja nuk do të jetë e tillë dhe për këtë është i sigurtë gazetari sportiv, Gjergji Stefa.
Ky i fundit ka bërë një postim në rrjetet sociale, ndërsa nuk nguron të “thumbojë” serbët, teksa ua thotë "copë" se gjithmonë kanë dashur të jenë në trojet tona dhe ne tashmë luftën e kemi fituar dhe do të fitojmë edhe ndeshjen.
“Mund të bëjmë çfarë është e mundur për një të ardhme të paqtë dhe mund të justifikojmë këdo që lind në këto troje, se propaganda dhe politika na kanë mësuar të sillemi kështu. Por e vërteta absolute që kalon përtej historisë së cunguar është: ne jemi në trojet tona dhe ata kanë dashur përherë të jenë gjithashtu në trojet tona.
Dhe këtë nuk na kanë lënë ta zgjidhim me paqe, por me luftë.
Prandaj kjo ndeshje s’do të jetë si herët e tjera, që harrohet shpejt.
Forca Shqipëria — luftën e kemi fituar, të fitojmë edhe ndeshjen!”, ka shkruar gazetari. Kujtojmë se dueli Serbi - Shqipëri do të luhet në orën 20:45 në Leskovac dhe është i vlefshëm për grupin K në kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
View this post on Instagram