Greqia është tronditur nga një ngjarje tragjike, pasi ish-futbollisti Marios Economou është ndarë nga jeta në moshën vetëm 33-vjeçare.
Ish-futbollisti i AEK-ut, Bolognës dhe Kombëtares greke, nëntë ditë pas aksidentit të rëndë me makinë, humbi betejën e vështirë dhe të pabarabartë për jetën në spitalin "Hatzikosta".
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti të mbijetonte, pasi pësoi dëmtime ishemike në tru, të cilat rezultuan të pakthyeshme.
Njoftimi i PAS Giannina
"Sot familja PAS Giannina është në zi. Marios Economou, një djalë që fitoi dashurinë dhe respektin e të gjithëve ne, na la para kohe. Ne kaluam momente gëzimi, përpjekjesh dhe lufte së bashku. Gjithmonë me buzëqeshje, gjithmonë me mirësi.
Të dashurit e tij, Presidentit dhe babait tonë, Giorgos Economou, si dhe familjes së tij, u shprehim ngushëllimet tona më të thella dhe më të sinqerta.
Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë te të gjithë ne. Mario, do të të kujtojmë me dashuri. Qoftë i përjetshëm kujtimi yt".
Kush ishte Marios Economou?
Marios Economou e nisi karrierën e tij futbollistike te PAS Giannina dhe më pas luajti për klube të rëndësishme në Greqi dhe jashtë saj, si Cagliari, Bologna, SPAL, Bari, AEK, Copenhagen, Sampdoria dhe Panathinaikos.
Në vitin 2024, ai ishte tërhequr nga futbolli aktiv. Gjatë karrierës së tij, ai zhvilloi gjashtë ndeshje me Kombëtaren greke dhe fitoi, ndër të tjera, kampionatin danez në vitin 2022 me Copenhagen.
