"Brazili do ta fitojë Kupën e Botës". I këtij mendimi është Paulo Roberto Falcao, ish-mesfushori i epokës së artë te "Seleçao", i cili beson se skuadra i ka të gjitha kapacitetet për të bërë më të mirën në këtë edicion.
I quajtur ndryshe dhe si "Mbreti i Romës", ai beson tek puna që do të bëjë Carlo Ancelotti, i emëruar prej muajsh në stol për të kthyer Brazilin drejt lavdisë. Të vetmit kundërshtarë që shfaqin rrezik potencial për t'i penguar drejt trofeut, Falcao sheh vetëm Spanjën dhe Francën, duke anashkaluar kështu emrat si Argjentina dhe Portugalia të cilat sipas tij nuk kanë më të njëjtën rreikshmëri.
"Në fund, ne do të fitojmë. Kemi sulmues shumë të fortë dhe Ancelotti është në stol. Avantazhi i vetëm i kundërshtarëve tanë është se ata janë tashmë skuadra të gatshme dhe të formuara, por besoj se do ia dalim", tha Falcao.
Lidhur me "krisjen" mes Neymar dhe trajnerit italian, ish-legjendari brazilian u shpreh se rendimenti i sulmuesit të Santos është ende për t'u vlerësuar, duke i dhënë të drejtë Ancelottit.
"Më ka pëlqyer gjithmonë, por fakti që ka luajtur mirë në të kaluarën nuk është një argument që bind për ta ftuar. Carlo ia bëri të qartë se Neymar duhet t'ia faktojë që është në formë e sigurisht kjo varet nga ky i fundit", përfundoi Falcao.
