Përmes postimit në rrjetin social “Facebook”, klubi i Juventusit i ka dërguar mesazh Cristiano Ronaldos. “Ora më e errët është pak para agimit”, shoqëruar me foton e “CR7”-së, teksa ishte koha kur djerësiste fanelën e “Zonjës së Vjetër”.
Ky veprim suportues nga “rekordmenët” e Italisë, vjen pak minuta para duelit Portugali – Uzbekistan, ndeshja e dytë në Grupin K. Cristiano dhe përfaqësuesja luzitane nuk po përjetojnë moment të mirë, pasi e nisën me “këmbën e gabuar” Botërorin 2026, barazimi zhgënjyes 1 – 1 ndaj Republikës Demokratike të Kongos.
Ylli i Portugalisë karshi Uzbekistanit, do kërkojë golin e parë në këtë Kupë Bote. Përsa i takon “lidhjes” Cristiano Ronaldo dhe Juventus, ajo zgjati 3 vite, e përkthyer me 101 gola dhe 28 asiste në 134 ndeshje, e shoqëruar me 5 trofe.
