
Mbrëmje të zjarrta futbolli kanë ndezur emocionet e shqiptarëve kudo në botë. Shqipëria dhe Kosova kanë shkëlqyer në ndeshjet përkatëse duke forcuar pozitën e tyre në arenën ndërkombëtare.
Në Leskovac kuqezinjtë arritën një fitore historike me rezultatin minimal 1-0 ndaj Serbisë. Mjaftoi goli i Rey Manajt në fund të pjesës së parë që të bënte miliona shqiptarë të kalonin në delir.
Një ndeshje mjaft pozitive e lojtarëve tanë të cilët e shohin veten shumë afër “Play-of”-it me 2 ndeshje të mbetura deri në fund.
Nga ana tjetër vetëm 2 ditë më vonë përfaqësuesja e Kosovës bëri të njëjtën magji në Suedi duke mposhtur vendasit me rezultatin 1-0. Vendimtari i “Dardanëve” ishte Fisnik Asllani i cili shfrytëzoi mjaftë mirë një përgjumje të mbrojtjes suedeze dhe i dha 3 pikët djemve të Franko Fodës.
Dy fitore, dy flamuj, një zemër. Kuqezinjtë dhe “Dardanët” treguan edhe njëhere forcën e tyre dhe shpirtin luftarak që i karakterizon. Tani qëllimi është një dhe i vetëm për të dyja skuadrat, Botërori.