Golashënuesi më i mirë i Turqisë, Hakan Sukur ka folur në prag të finales së “play-off” përballë Kosovës që do të luhet në Prishtinë. Me 51 gola mbi “shpinë”, Sukur ka zbuluar një të vërtetë interesante.
Ish-sulmuesi turk është shprehur se Kosova është atdheu i babait të tij, pasi ky i fundit ka lindur në Prishtinë. Ndër të tjera, Sukur ka theksuar se arritjet e Kosovës nuk duhet të nënvlerësohen.
“Kosova e ka një ekip të fortë. Doli në vend të dytë në një grup mjaft të vështirë (me Zvicrën, Suedinë e Slloveninë), mund të përfundonte edhe e para. Turqia do të ketë punë mjaft të vështirë sepse ndeshjet si kjo nuk janë kualifikuese të Botërorit.
Janë ndeshje që vendosen nga kushte dhe rrethana të tjera. Kosova është atdheu i babait tim. Babai im ishte lindur në Prishtinë. Arritjet e Kosovës nuk duhet në nënvlerësohen. Një vend që vjen nga ish-Jugosllavia, një tokë ku ka shumë talente”, është shprehur Sukur.
