Kupa e botës 2026, është kaq afër por dhe kaq larg njëkohësisht, pasi Shqipëria do të kërkojë me çdo kusht një biletë për në Botëror. Megjithatë si fillim kombëtarja do të luajë gjysmëfinalen e “Play-Off”-it në Varshavë kundër Polonisë, më 26 mars. Por për të siguruar kualifikimin në Botëror duhet që të kalojë edhe pengesën tjetër në finale, me fituesin e çiftit Suedi-Ukrainë.
Rivalin ynë i parë është Polonia, skuadër kjo e cila fati e ka vendosur shumë herë në fushë përballë nesh. Pikërisht ka pasur një reagim edhe nga ish-futbollisti i njohur polak i Dortmundit, tashmë në rolin e trajnerit, Lukasz Piszczek.
Në një intervistë për "TVP Sport" ai u shpreh se Shqipëria është një kundërshtar mjaft impenjues, por duke pranuar gjithashtu se të dyja skuadrat ia dinë “sekretet” njëra-tjetrës. Ndër të tjera trajneri pranoi mes 2 ekipeve të cilat janë shumë luftuese, në 90 minuta lojë mund të ndodhë gjithçka.
“Kohët e fundit kemi luajtur shpesh me Shqipërinë. Kjo do të thotë se i njohim mirë ata, ashtu siç edhe ata na njohin mirë dhe i dinë sekretet tona. Do të jetë një rival impenjues për Poloninë dhe duhet që të jemi të vëmendshëm ndaj tyre. Në një ndeshje mund të ndodhë gjithçka”, ka thënë Lukasz Piszczek.
Rikujtojmë se në rast kualifikimi, Shqipëria do të pozicionohej në Grupin (F) të Botërorit, me Holandën, Japoninë dhe Tunizinë.
