Kosova nuk ka për të qenë një kundërshtar i lehtë për Turqinë dhe këtë "realitet" të ri e pranon dhe legjenda e futbollit turk, Riza Calimbay, i cili i ka paralajmëruar turqit për vëmendje maksimale në sfidën që do të luhet të martën në orën 20:45 në "Fadil Vokrri".
Suksesi me Sllovakinë në transfertë me rezultatin 4-3 i ka shndërruar "Dardanët" në skuadrën surprizë që mund të befasojë me një kualifikim historik në Kupën e Botës 2026. Ndaj dhe një e dhënë e tillë mjafton që për ish-lojtarin turk, të mos ketë aspak nënvlerësime në 90 minutat që do të luhen pikërisht në Kosovë.
"Ata janë një skuadër shumë më e organizuar dhe kanë goxha cilësi krahasim me Rumaninë. Kjo ndeshje nuk do të jetë aspak e lehtë për Turqinë. Madje, do të jetë shumë herë më e vështirë, sidomos nëse dimë që luhet në transfertë. Nëse e nënvlerësojmë duke e quajtur ekip i vogël, do sillte pasoja negative për Turqinë", ka deklaruar Cailmbay.
Mandej, trajneri me më së shumti paraqitje në historinë e kampionatit turk specifikoi dhe faktorin që do t'i vë vulën kësaj sfide.
"Duhen marrë masat e nevojshme pasi në sulm ata kanë lojtarë të mirë si Muriqi dhe Asllanin, pa harruar Hadërgjonaj. Janë së paku 4-5 të tillë që duhen marrë në konsideratë. Fazat mbrojtëse dhe ato në sulm mund të shkaktojnë episodet që do të sjellin dhe fituesin. Mbrojtja do ketë detyrën më të vështirë në radhët e skuadrës sonë pasi duhet të jenë maksimalisht të vëmendshëm për çdo rast që vjen në portë. Rreziku mund të vijë nga të gjitha anët", përfundoi ish-trajneri turk.
