Uruguai do të luaj ndeshjen e parë me Arabinë Saudite në Miami, por udhëtimi i tyre drejt qytetit amerikan u kthye në dramë të vërtetë. Skuadra e drejtuar nga Marcelo Bielsa pësoi vonesa në fluturimin e tyre nga Meksika, për shkak të problemeve me dokumentacionin zyrtar të avionit që do t’i transportonte drejt Floridës.
Uruguai kishte planifikuar të udhëtonte të djelën nga baza e tyre stërvitore në Kankun, ku ishin vendosur për t’u përgatitur për fazën e grupeve. Avioni i përzgjedhur nuk kishte marrë lejen përkatëse për të fluturuar në hapësirën ajrore të SHBA-së. Për pasojë i gjithë ekipi i Uruguait u detyrua të qendronte i izoluar në një resort në Meksikë. Për pasojë të gjithë këtij kaosi trajneri Marcelo Bielsa humbi konferencën zyrtare për shtyp para ndeshjes, e cila ishte planifikuar të mbahej të dielën në orën 20:00.
Federata Uruguaiane e Futbollit konfirmoi pas disa orësh ditën e dielë përmes rrjeteve sociale se ekipi më në fund kishte hipur në avion. “La Celeste” bëjnë pjesë në Grupin H sëbashku me Arabinë Saudite, Kepin e Gjelbër dhe Spanjën. Strategjia e ekipit amerikano latin është që gjatë gjithë këtij Botërori ta mbajë bazën e saj në Meksikë.
