
Me 751 paraqitje vetëm për Bayern Munich, pas 248 golave dhe 274 asistimeve duke veshur fanellën e bavarezëve, Thomas Muller do t'i thotë lamtumirë asaj që ka qenë shtëpia e tij për 25 vjet, me titullin e Bundesligës 2024-25 në “xhep” dhe 32 trofe gjithsej në kabinet, megjithëse e ardhmja është ende për t'u “deshifruar”.
Ndërkohë, sulmuesi 35-vjeçar gjerman, i cili është edhe simboli i klubit, ka shkruar një letër me dorën e tij. “Bayerni na dha disa ditë pushim për të marrë frymë thellë dhe unë e shijova në maksimum. Javët e fundit, midis kampionatit dhe njoftimit tim të lamtumirës, kanë qenë vërtet intensive.
Ky pushim më ka lejuar t'i përkushtohem gjërave që shpesh neglizhohen, të luaj golf, të takoj miq dhe të kultivoj pasionin tim për kuajt. Dhe për ta mbyllur, një lojë me letra,... çfarë më shumë mund të dëshirosh? Por tani është kthyer në normalitet.
Për t'u përgatitur për Kupën e Botës për Klube, seancat e para të stërvitjes fizike janë planifikuar tashmë: qëndrueshmëri, vrapime me intervale, forcim i muskujve... e gjithë paketa. Së shpejti do të nisemi për në Amerikë, për Kupën e Botës për Klube, turneu im i fundit si lojtar i Bayernit.
Dhe ka disa gjëra që mezi i pres me padurim: një nga pikat kryesore do të jetë sigurisht ndeshja kundër Boca Juniors në Miami. Si futbollist evropian, nuk ndodh shpesh që të përballesh me klube kaq historike. Kjo e bën zemrën e një futbollisti të rrahë më shpejt”, shkruajti Muller.