
Napoli do të luajë në transfertë ndaj Fiorentinës, sfidë e cila është parashikuar të zhvillohet ditën e shtunë në orën 20:45. Takim i vlefshëm për javën e 3-të të kampionatit.
Por kjo përballje është bojkotuar nga tifozët e Napolit. Kjo pasi mbështetësit e napolitanëve nuk do të jenë në stadium në mbështetje të ekipit.
“Artemio Franchi” është në rindërtim e sipër, prandaj vendet janë shumë të kufizuara, ndërsa sektorë të tërë po shemben dhe rindërtohen. Për shkak të mungesës së sigurisë dhe tensioneve ndër vite mes tifozëve, ato të Napolit kanë njoftuar “bojkotimin” e sfidës. Nga sa është mësuar, vetëm 380 bileta u janë shitur tifozëve në Napolit, gjë e cila ka irrituar akoma më shumë napolitanët.
“E konsiderojmë të papranueshme pjesëmarrjen në atë që në praktikë do të ishte një sistem llotarie që rrezikon të penalizojë shumicën dërrmuese të tifozëve që duan të ndjekin ndeshjen në Firence. Prandaj, u themi autoriteteve përgjegjëse për sigurinë të mos shqetësohen: në këto kushte, jemi ne ata që vendosim të mos jemi të pranishëm në Firence”, kanë njoftuar tifozët.