Me mbylljen e sezonit të rregullt në Serie A, duket se zërat e merkatos për lojtarët të cilët shkëlqyen nuk mungojnë. Deklaratat e Javier Zanetti për talentin argjentinas Nico Paz kanë shkaktuar reagim të fortë nga trajneri i Comos, Cesc Fabregas.
Zëvendës presidenti “i përjetshëm” i Interit kishte vlerësuar publikisht mesfushorin e ri duke deklaruar se ai është në rrugën e duhur për t’u bërë një lojtar i madh dhe se futbollistë të tillë kërkohen nga klubet më të mëdha.
Por këto komente nuk janë pritur aspak mirë nga trajneri Fabregas, i cili kërkoi më shumë respekt për situatën kontraktule të Nico Paz. Në një dalje për mediat ai reagoi ashpër për deklaratën dhe theksoi se vetëm Real Madrid dhe Como kanë të drejtë të flasin për të ardhmen e lojtarit.
“Zanetti ka qenë një figurë shumë e rëndësishme në futboll dhe i njeh mirë këto dinamika. Por Nico është 50% lojtar i Comos dhe i vetmi klub që mund të flasë është Real Madridi”, deklaroi Fabregas.
Trajneri u shpreh se nuk i kanë pëlqyer deklaratat që vijnë nga jashtë klubit dhe e bëri të qartë pozicionin e tij. “Një gjë është e sigurt, Nico Paz nuk do të luajë për Interin. Ose do të rikthehet te Real Madridi, ose do të luajë përsëri për Comon sezonin e ardhshëm”, mbylli fjalën e tij trajneri spanjoll.
