
Mesditën e sotme është zyrtarizuar largimi nga Real Madrid i Carlo Ancelottit. Italiani mbyll kështu aventurën e tij të dytë te “Los Blancos”.
65-vjeçari do të luajë ndeshjen e fundit me madrilenët ditën e nesërme. Në “Santiago Bernabu” do t’i jepet edhe lamtumira nga tifozët para sfidës me Real Sociedad.
Pikërisht në prag të kësaj përballjeje ka folur në konferencën për shtyp. Timonieri italian ka theksuar se këtë klub do ta mbajë përgjithmonë në zemër dhe është shumë krenar dhe i lumtur që ka shkruar historinë me këtë fanellë.
Ndër të tjera falenderon lojtarët, stafin dhe presidentin për mbështetjen. Gjithashtu nuk lë pa falenderuar edhe tifozët, pasi e kanë trajtuar si të ishte njëri prej tyre.
“Sot ne ndjekim përsëri rrugët tona të ndara. Sot e mbaj përsëri në zemër çdo moment që kam jetuar në këtë fazë të dytë të mrekullueshme si trajner i Real Madridit.
Kanë qenë vite të paharrueshme, një udhëtim i jashtëzakonshëm plot emocione, tituj dhe, mbi të gjitha, krenaria e përfaqësimit të kësaj steme.
Falënderoj Presidentin Florentino Perez, klubin, lojtarët e mi, bashkëpunëtorët e mi dhe, mbi të gjitha, tifozët unik që gjithmonë më kanë bërë të ndihem si një prej tyre.
Ajo që arritëm së bashku do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e madrilenëve, jo vetëm për shkak të fitoreve, por edhe për shkak të mënyrës se si i arritëm ato.
Netët magjike në Bernabeu janë tashmë pjesë e historisë së futbollit. Tani fillon një aventurë e re, por lidhja ime me Real Madridin është e përjetshme. Shihemi së shpejti, madrilenë!”, ka deklaruar italiani, i cili do të marrë drejtimin e Brazilit në muajin qershor.
Në aventurën e tij të dytë te Reali që nisi në vitin 2021, Ancelotti fitoi 2 tituj të La Ligës, 1 Kupë të Mbretit, 2 Superkupa të Spanjës, 2 Champions League, 2 Superkupa të Evropës, Kupën e Botës për Klube dhe Kupën Ndërkontinentale të FIFA-s.