Humbja me Mallorcan në transfertë e Reali Madridit në shifrat 1-2, ka përkeqësuar situatën në klubin mbretëror, të cilët tashmë e shohin objektivin titull gjithnjë e më larg, pas fitores me të njëtat shifra të Barcelonës në mbrëmje ndaj Atleticos.
Distanca tashmë është 7 pikë dhe në javët e mbetura vetëm një mrekulli mund të bëjë që skuadra e Alvaro Arbeloas të shpallet kampione e Spanjës. 5 humbjet në sezon rëndojnë shumë tek "Los Blancos" që e gjejnë veten në luftë me kohën për të mos mbetur pa trofe edhe në këtë edicion futbollistik 2025-2026.
Emërimi në stol i trajnerit nuk ka sjellë aspak ndryshime, pavarërisht se Arbeloa erdhi si emergjencë për të marrë vendin e Xabi Alonsos të shkarkuar. E megjithatë, statistikat tregojnë se presidenti Florentino Perez ka gabuar në nxitimin e tij për t'i ndryshuar gjërat për mirë.
Në 11 ndeshjet ku të dy kanë qenë në stol këtë sezon, Alonso numëron 30 pikë, 6 më shumë se pasardhësi i tij i cili momentalisht qëndron në kuotën e 24 të tillave. Ndryshe nga Arbeloa, ish-tekniku humbi vetëm një ndeshje në kampionat dhe atë me Celta Vigon në transfertë, teksa trajneri momental e ka ndjerë humbjen 4 herë.
