Real Madrid dhe Barcelona do të përballen për herë të parë në këtë sezon. Ditën e nesërme në orën 16:15 në “Santiago Bernabeu” do të përplasin “brirët” për fitoren.
Një sfidë e cila vlen më shumë se 3 pikët, vlen për prestigj dhe krenari dhe përballë vihen 2 nga ekipet më me rivalitet në Spanjë. Për “El Claciso” ka nisur të flitet prej ditësh, me futbollistët që kanë “ndezur” këtë sfidë me deklaratat e tyre.
Kylian Mbappe së fundmi ka folur dhe ka theksuar se ndaj Barcelonës do të luajnë për të fituar dhe se nuk njohin rezultat tjetër.
“Shpresojmë të jetë një ditë e madhe për të gjithë. Ne nuk duam vetëm ta luajmë, duam ta fitojmë. Është një ndeshje e madhe, por edhe pjesa tjetër e muajit është e rëndësishme. Do të bëjmë atë që kërkon Real Madridi – të fitojmë dhe të luajmë mirë për të gjithë madrilenët”, ka theksuar francezi. Mbappe ka shënuar 15 gola në këtë sezon.
