Detaje shokuese kanë dalë së fundmi në mediat spanjolle, sa i përket çështjes “Messi” që ka mbërthyer opinionin publik në Barcelonë.
Ish trajneri i skuadrës, Xavi Hernandez, në një intervistë të dhënë për “La Vanguardia” ka treguar versionin e tij sa i përket sagës që nisi në vitin 2023, kur mes tij dhe presidentit në detyrë, Joan Laporta nisi një duel i ashpër për rikthimin e “Pleshtit” në Camp Nou.
Ai ka akuzuar Laportën se ishte ai që parandaloi gjithçka, kur marrëveshja ishte drejt finalizimit dhe fjala ishte dhënë nga argjentinasi për t’u kthyer në klubin ku bëri historinë.
“Rikthimi i Messit te Barcelona ishte i kryer pas përfundimit të Kupës së Botës. Federata na dha dritën jeshile. Leo donte të rikthehej, por Laporta bllokoi gjithçka. Presidenti më tha fjalë për fjalë se nëse Messi do të kthehej, do të deklaronte hapur luftën me mua, ndaj nuk e lejoi. Gënjeu hapur kur tha se ishte thjesht çështje parash”, rrëfen ish tekniku spanjoll.
Më tej, Xavi flet për marrëdhënien e tij me Laportën duke thënë se ishte “mirë”, por raporti mes tyre u thye pas vendimit për shkarkim.
“Më largoi pa më treguar të vërtetën. U ndikua dhe nga Alejandro Echevarria. Me fjalë të tjera, Echevarria, donte të më hiqte qafe nga skuadra”, tregon Xavi.
Për trajnerin Hansi Flick, spanjolli nuk i kursen elozhet drejtuar gjermanit, si për suksesin që po arrin me klubin ashtu sikurse për mënyrën se si ai u soll kur po përflitej si pasuesi i tij përpara se të largohej nga Barcelona.
“Kam marrëdhënie të shkëlqyer, shkëmbejmë shpesh mesazhe. Më kërkoi ndjesë për mënyrën se si erdhën gjërat, madje erdhi më vizitoi në shtëpi për shkak të situatës së vështirë. Kjo për mua është vërtetë e admirueshme. Më vjen mirë që po arrin suksese të rëndësishme”, përfundoi Xavi Hernandez.



