Partizani do të përballet këtë të diel në transfertë me Flamurtarin, në kuadër të javës së 25-të të “Abissnet Superiore”. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin e Vlorës, do të nisë në orën 16:30. Në prag të këtij dueli ka folur edhe trajneri i të kuqve, Oltijon Kërnaja.
Si e keni përgatitur ndeshjen ndaj Flamurtarit?
Sigurisht është një sfidë shumë e rëndësishme për ekipin tonë, ashtu edhe për Flamurtarin. Pavarësisht pozicionit që Flamurtari ka në renditje është një ndeshje mjaft e vështirë, këtë e kanë treguar edhe dy ndeshjet e kaluara me Flamurtarin që janë zgjidhur me episode. Flamurtari ka lojtarë cilësorë të cilët mund të bëjnë shumë keq në momente të caktuara, prandaj është një ndeshje e rëndësishme. Sigurisht ne do hyjmë për 3 pikët sepse për atë luhet futbolli që të hyjmë për fitore. Për më shumë t’ia lëm fushës.
Gjendja e skuadrës?
Gjendja e skuadrës është mjaft e mirë si nga ana fizike ashtu edhe nga ana psikologjike djemtë janë shumë mirë. Përsa i përket mungesave ne nuk jemi ankuar asnjëherë. Eshtë e vërtetë kemi patur vërtet shumë mungesa gjatë gjithë sezonit mbi 10 lojtarë në çdo ndeshje, por madhështia e këtij klubi është se edhe pse kemi patur shumë mungesa kemi patur lojtarë për ti zëvendësuar. E kam theksuar edhe më përpara Partizani është grup nuk varet nga individi. Përsa i përket rikthimeve nuk është se kemi. Kemi mungesat e sigurta të Buxhelaj dhe Doumbia nga ndeshjet e fundit.
Hapi fals i Dinamos dhe lufta për “Final 4” sa presion ka për ju?
Të them të drejtën presion nuk ka fare. Eshtë më shumë përgjegjshmëri sesa presion. Dihet emri Partizani, historia, emblema. Partizani do luftojë gjithmonë për trofe dhe për tu renditur sa më lartë në klasifikim. Nuk kemi presion, por përgjegjshmëri për të bërë sa më mirë punën që kemi nisur. Ne do të hyjmë për të marrë vetëm 3 pikët nuk shikojmë aspak kush është përpara, kush gabon. Ne e kemi vetë fatin tonë në dorë nuk varemi nga askush tjetër.
E prisnit këtë ecuri të Partizanit, pasi e keni marrë ekipin në vendet e fundit të klasifikimit?
Sigurisht që e prisja. Shumë nuk kanë besuar. Unë personalisht e prisja duke parë ambientin, klubin të gjithë bashkë që jemi nga i pari deri tek i fundit. E prisja që të jemi konkurues për të arritur “Final 4”. E arrijmë apo jo “Final 4” këtë do t’ia lëm kohës, por për të qenë konkurues e kam thënë që në fillim dhe vazhdojë ta besoj sepse grupi është, djemtë janë, klubi është. Çdo gjë po shkon siç duhet ashtu si e kemi menduar panvarësisht ndonjë gabimi që mund të kemi bërë rrugës. Ndonjë ndeshje që ndoshta mund të ishim pak më mirë me disa gabime të vogla në minutat e fundit, por tashmë çdo gjë është në dorën tonë. Ne do shikojmë vetëm ndeshjen tonë, ndeshjen e radhës asgjë më shumë.
