Së bashku me Oltijon Kërnajën në konferencën për shtyp te skuafdra e Partizanit ishte edhe Redon Ismaili. Mesfushori ka folur në prag të derbit me Dinamon, duel ky që do të luhet ditën e nesërme në “Elbasan Arena”, ora 19:30 dhe që është i vlefshëm për javën e fundit të fazës së parë të Superiores.
Lojtari i “Demave” ka theksuar se me Kërnajën janë më të bashkuar dhe se ka rikthyer besimin në ekip. Gjithashtu ka bërë të ditur se Dinamo është rivali i tyre direkt dhe fitorja është mëse e detyrueshme.
“Çfarë ka ndryshuar ke Partizani me ardhjen e trajnerit Kërnaja? Duke marrë parasysh se ishim në një krizë rezultatesh siç e dinë të gjithë, me ardhjen e trajnerit Kërnaja kemi qenë më mirë, më ndryshe, kemi qenë më të bashkuar. Siç e tha edhe trajneri në ndeshjen me Egnatian u futëm për të marr 3 pikët por fati nuk ishte as me ne as me ata. Besoj që këto dy ndeshje kanë qenë shumë të mira dhe jemi gati që edhe në ndeshjen e nesërme të vazhdojmë këtë ecuri të mirë dhe ti marrim 3 pikët.
Kur pritet ta shohim Partizanin në vendet e para të renditjes? Ndeshje pas ndeshje ne jemi duke bërë më mirë. Nesër me Dinamo City është edhe një derbi i kryeqytetit për tifozët për të gjithë ne. Do jemi të bashkuar , do luftojmë deri në fund për të marrë 3 pikët. Partizani është një ekip që duhet të jetë në krye të tabelës. Dinamo City është një rival i joni direkt duhet ta mposhtim dhe javë pas jave besoj që do shkojmë aty ku e kemi vendin”, ka theksuar lojtari i kuq.
