Krahas 11-sheve që do të zbresin në fushë që prej minutës së parë, ajo mes Tiranës dhe Partizanit do të jetë dhe sfida mes “strategëve” në pankinë.
Derbi i kryeqytetit do të jetë i pari këtë edicion për trajnerin Orges Shehi, i rikthyer në stol te bardheblutë me misionin për t’i shpëtuar nga rreziqet potenciale të rënies. Mirëpo, “fiksimi” i teknikut durrask ndaj këtij kundërshtari nuk është diçka e re, pasi Shehi numëron një bilanc tejet pozitiv sa herë ka qenë përballë “Të Kuqve”.
Plot 15 ndeshje të luajtura, duke udhëhequr Tiranën dhe Skënderbeun në vitet e para të karrierës së trajner, ai i ka fituar 7 përballje, ka barazuar 3 dhe ka humbur 5. Ndaj dhe kjo sfidë, krahas anës psikologjike që do ndihmonte të tijët të kapnin të tjera pikë të çmuara, do të shtonte në koleksionin e tij suksesin e 8-të.
Në anën tjetër, Oltijon Kërnaja nuk e njeh fjalën humbje që prej se erdhi në stolin e “Demave” për të zëvendësuar të shkarkuarin Mladen Milinkoviç. Në repertorin e tij bilanci është 100% fitore në dy derbet e fundit të fituara me rezultate fotokopje; 2-0.
Ndoshta, “Air Albania” mund t’i sjellë sërish fat Kërnajës, pasi në “tokën” kuqezi mund t’i ngjyros me të njëjtat ngjyra dhe derbin e fundit sezonal.
