Vllaznia edhe Egnatia do të përballen të shtunën e 23 majit, në kuadër të sfidës së dytë “Final Four”. Ndeshja që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, do të nisë prej orës 19:00. Në prag të këtij dueli delikat para mediave ka folur edhe drejtori sportiv i shkodranëve, Vioresin Sinani. Ky i fundit është ndalur te sfida me Egnatian, por edhe te merkato verore dhe rinovimet e kontratave.
“Normale se është sfidë e vështirë. Egnatia është një ekip që meriton respekt, e njohim për lojën dhe nivelin që ka. Një ekip me shumë emra cilësorë. Por, ne jemi për rezultatin pozitiv që do na ndihmojë të shkojmë në rrugën tonë drejt titullit. Mungesa? Kastrati dhe Bismark për arsye dëmtimi dhe Bajrami për kartona. Djemtë që do i zëvendësojnë jam i bindur që do të bëjnë më të mirën, do luftojnë me 100% e tyre. Normalisht se sfida është mjaft e fortë, por në fund shpresojmë të triumfojmë ne.
Unë them se në Final Four janë të gjitha skuadrat e forta. Janë me nivel shumë të mirë. Besoj se fusha do e tregojë, shpresoj shumë që fitorja të anojë nga ne. Megjithatë, e vlerësoj Egnatian se është ekip mjaft i fortë dhe meriton respekt. Dëgjoj shumë duke bërë llogari. Bashkë me çunat dhe stafin e kemi diskutuar që kemi këtë ndeshje shumë të rëndësishme. Pastaj mund të bëjmë llogaritë tona për ndeshjen e fundit. Por e kemi shumë të rëndësishme këtë. Llogaritë nuk na pëlqejnë. Ne duhet të mendojmë tani për lojën dhe besoj që të gjithë çunat e dinë se sa e rëndësishme është kjo sfidë.
Ne kemi pasur një problem. Dy mungesat e Kastratit dhe Bismark kanë qenë shumë të rëndëishme për ne. Kanë qenë dy lojtarë që kanë dhënë për Vllazninë dhe më vjen keq që në Final Four nuk është kontributi i tyre. Me ndeshjen e fundit jemi pak të mërzitur, shpresonim të merrnim një rezultat tjetër. Çunave u kemi thënë nuk duhet të demoralizohen, kemi një ndeshje mjaft të rëndësishme me Egnatian. Ata djem janë që na kanë sjellë deri këtu, ata janë që kanë bërë të ëndërrojnë të gjithë dashamirësit e Vllaznisë. Meritojnë përkrahjen maksimale nga të gjithë. Ata na kanë bërë të ëndërrojmë. Besoj shumë se deri në fund të arrijmë atë që duam, titullin.
Të gjithë i shoh rival të fortë. Na duhet fitorja në ndeshjet tona. Aty nuk ke kujt i thua rival i dobët sepse besoj se Final Four është me të gjitha skuadrat e forta. Shumë e rëndësishme. I bëj thirrje kush të ketë mundësi, të jetë në stadium. Djemtë kanë nevojë për përkrahje. Kanë nevojë për ngrohtësi. Jemi në vend të parë. Jemi dhe dy ndeshje larg fundit të kampionatit dhe do bëjmë çmos për ta mbajtur vendin e parë. Kam thënë në intervistat e mia, që do luftojmë deri në fund për titull. Dhe po luftojmë. Kemi nevojë për mbështetjen e të gjithëve.
Gjendja? Shumë e mirë. 0 probleme. Problemi i vetëm i yni është ata dy djemtë e dëmtuar, që kanë qenë lojtarë kryesor. Po them problem se janë gjëra që ndodhin në sport. Problem tjetër 0. Merkato do zhbllokohet kur të fillojmë të bëjmë afrimet e lojtarëve, besoj se nuk do ketë asnjë problem. Ne kemi thënë që shkojmë kudo për fitore. Luajmë kundër një skuadre të mirë që për momentin ka dhënë lojëra të bukura. Është skuadër në formë për momentin. Ne shkojmë për fitore ndaj çdo ekipi. Nuk do të thoja asgjë më tepër. Skuadra jonë kudo do të shkojë për fitore.
Rinovimet? Ka që i mbaron kontrata. Ka që janë me opsion rinovimi në dorë të klubit kontrata. Është menduar dhe do bëhet më e mira. Por, punohet dhe besoj se në fillim të qershorit do ketë të reja në këtë aspekt. Me thënë të drejtën vëmendja dhe energjitë maksimale janë te ndeshja me Egnatia. Jo se është lënë pas dore. Punohet çdo ditë edhe për ekipin e ri dhe afrimet e reja. Por të them të drejtën duam të përqëndrohemi te kjo ndeshje që e kemi më të rëndësishmen. Dhe gjërat e tjera t’i diskutojmë më vonë”, tha Sainani.
