Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SUPERIORE

EKSKLUZIVE/ “Dinamo e meritoi fitoren, s'do ndalemi me kaq”, Lorenco Vila pasi i dha “goditjen” Astanës në Conference League: Ilir Daja ekspert, ju tregoj çfarë na tha

Shkruar nga Nikoll Rajta
EKSKLUZIVE/ “Dinamo e meritoi fitoren, s'do ndalemi me kaq”,
Lorenco Vila

Pas humbjes 0-1 në “Elbasan Arena”, Dinamo fitoi mbrëmjen e djeshme ndeshjen e kthimit përballë Astanës, në kuadër të raundit të parë kualifikues të Conference League. Sfida e zhvilluar në Kazakistan, përfundoi 1-4, pas 125 minutash lojë.

Pas këtij dueli, në një intervistë të dhënë për “Newsport.al”, ka folur edhe një prej protagonistëve, sulmuesi Lorenco Vila. Ishte ky i fundit që u “dhuroi” dinamovitëve ndjesinë e kualifikimit për në fazën e dytë, me golin e shënuar në minutën e 93-të.

Vila është ndalur të flasë për “sekretet” e këtij triumfi të madh, ku sigurisht ka meritë edhe trajneri Ilir Daja. Ndër të tjera, sulmuesi foli për Superioren, por edhe për kundërshtarin në fazën tjetër të Ligës së Konferencës, sllovenët e Aluminij.

Pësuat gol dhe shifrat e përgjithshme shkuan 2-0, por motivimi duket sikur u shtua më tepër, çfarë ndikoi përveç rezultatit negativ?

Të themi të drejtën, në minutat e para të sfidës hasëm pak vështirësi, pasi edhe kundërshtari luante në fushën e tij. Ata e nisën më mirë se ne në minutat e para, por pas golit të parë që ata shënuan, ne morëm kontrollin e lojës. Me fillimin e pjesës së dytë kishim një ritëm shumë më të mirë, duke filluar penallti e duke e lënë ekipin e Astanës me 10 lojtarë. Më pas, administruam lojën dhe besoj se ishte një kualifikim mëse i merituar.

Çfarë ju tha Ilir Daja në pushimin e ndeshjes, pasi duket se dora e trajnerit solli ndryshim të madh?

Profesor Daja sigurisht që ka meritat e tij. Në pushimin mes pjesëve, pavarësisht e ishim -2 gola në rezultat të përgjithshëm, ai na tha se duhet të ruanim qetësinë dhe të administronim lojën, pasi siç e dimë të gjithë, profesor Daja është ekspert në leximin e lojës. Ai na tha që nuk duhet të dorëzohemi, spese një gol do ta rifuste në lojë, e ashtu ndodhi.

Një gol në Conference League, çfarë ndjeni, duke ditur edhe rëndësinë e golit, pasi ishte ai i kualifikimit për 1-3?

Të them të drejtën jam shumë i lumtur për golin, pasi ishte goli i 3-të dhe ishte në shtesë. Ishte goli i kualifikimit, pasi edhe me rezultatin 1-3, ne do të kalonim më tej. Këtë gol ia dedikoj të gjithëve në skuadër spese pa to, nuk do të mund të shënoja. Me të vërtetë ishte një ndjenjë e mrekullueshme, duke marrë parasysh rëndësinë e ndeshjes dhe kundërshtarin që kishim përballë.

Kundërshtari i radhës, Aluminij nga Sllovenia. Sa optimistë jeni që mund ta kaloni edhe fazën e dytë kualifikuese?

Kundërshtarin e radhës nuk e kemi analizuar dhe nuk mund të jap një përgjigje konkrete, pasi nuk e njohim. Por ne besojmë në kualifikim, duke u bazuar në cilësitë që ky grup ka. Do ta tentojmë kualifikimin deri në fund, për të bërë tifozët tanë krenarë, ashtu siç shpresoj të jenë ndjerë edhe pas fitores përballë Astanës.

Sapo keni rinovuar me Dinamon, ju bindi Ilir Daja apo presidenti Bardhi?

Tek Dinamo është viti i katërt dhe ndihem si në shtëpi. Presidentin Bardhi e kam pasur edhe tek Teuta dhe kam një marrëdhënie shumë të mirë. Gjithashtu edhe me profesor Dajën, ishte një zgjedhje që e dëshironim të gjithë. E doja atë rinovim dhe ja ku jemi, pjesë e Dinamos edhe për dy vite të tjera, pasi besoj se një e ardhme e bukur dhe me rezultate pozitive na pret përpara.  

Edhe pak nis sezoni i ri i “Abissnet Superiore”. Dinamo ka 2-3 vite që investon, por përsëri larg titullit, si e shihni sezonin e ardhshëm, Dinamo mes dy pretendentëve kryesorë dhe pse?

Po, është mëse e vërtetë që Dinamo ka disa vite që është aty, por nuk po shkon dot tek titulli kampion. Por, mendoj që duhet të kishim bërë pak më shumë për të arritur tek titulli. Besoj se ky është viti i Dinamos dhe shpresoj të marrim maksimumin. Do të luftojmë në çdo front dhe do të jemi në garë si për titullin në Superiore, por edhe për të mbrojtur Kupën e Shqipërisë. /Nikoll RAJTA/   

 

Poll

Lexo gjithashtu