Dilema e fundit për Final Four do të diskutohet këtë të shtunë mes Dinamos dhe Partizanit, pasi të dyja skuadrat kryeqytetase ndajnë të njëjtat pikë (45 për kokë) dhe do të luajnë në dy fronte të ndara në sfidat e javës së 34-të të Abissnet Superiore, përballë Egnatias dhe Flamurtarit.
Nga “Air Albania” e deri tek “Arena e Demave”. Do të luhet gjithçka për gjithçka. Llogaritë nuk tolerojnë më gabime dhe tri pikët do të jenë i vetmi opsion për dy trajnerët Ilir Daja dhe Oltijon Kërnaja, të cilët kërkojnë të kthejnë faqen pas rezultateve zhgënjyese në javët e fundit dhe në kulmin e sezonit, s’mund të privohen nga “lëshime” të tjera të pikëve, sidomos kur vendi i fundit mund të hipotekohet njëherë e mirë pikërisht këtë të shtunë.
Dinamo do të masë forcat përballë Egnatias, e cila është shpallur dhe matematikisht si “forcë e tretë” në Final 4, ndërsa Partizani do të duhet të “përvesh” mëngët ndaj Flamurtarit që tregoi “bishën” në sfidën e fituar në Vlorë (3-1) pikërisht ndaj rivalëve të drejpërdrejtë të “Demave” për këtë pozicion të rëndësishëm.
Në fushë nuk do ketë vend për “shkenca” ekzakte, formula, madje as për plan A, B ose C, pasi për tri pikët, do të duhet vendosmëria dhe cinizmi, e sigurisht, ajo çfarë të gjithë dimë për futbollin modern; kush gabon më pak, del më i fituari.
