Përmes “story” të radhës në rrjetin social “Instagram”, klubi i Gramshit për vajza, ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj ekipit të Vllaznisë, madje duke cituar se kuqeblutë “gati përfshihen çdo vit në incidente dhe më pas ia hedhin fajin të tjerëve”.
Më tej, klubi i Grmashiot bën të ditur se ata janë shembull dhe nuk i kanë rënë në qafë askujt. Ky reagim ka të bëjë me ngjarjen e moshave U-17, aty ku Vllaznia ka marrë dënime të rënda nga Komisioni i Disiplinës:
“Asnjëherë nuk kemi tentuar të ofendojmë apo të dëmtojmë askënd, as para dhe as pas krahëve. Gramshi ka qenë dhe mbetet shembull për disiplinë që nga fillimi i këtij sezoni e deri më sot. Në asnjë moment nuk i kemi rënë në qafë askujt.
Reagimi i Vllaznisë sot është joprofesional. Bëhet fjalë për një klub që pothuajse çdo vit përfshihet në incidente, dhe më pas fajin kërkon t’ua hedhë të tjerëve. Për ironi, në një ndeshje të ekipit U17 të vajzave me Partizanin, ata akuzojnë se ne kemi ndikuar në vendime disiplinore.
Gramshi është një klub futbolli, jo federatë. Megjithatë, çdo person që tenton të dëmtojë apo të cenojë emrin dhe reputacionin tonë do të përballet me organet kompetente.
Nëse deklaratat apo qendrimet mbështeten në paranoja, mllefe, inate apo intriga kjo nuk është mënyra e duhur. Veprime të tilla duhet të marrin fund. KFF Gramshi ka respektuar dhe i ka dhënë dorën çdo ekipi që është përballur pavarësisht rezultatit. Futbolli kërkon disiplinë, garë sportive dhe jo mllef”, shkruan klubi i Gramshit për vajza.

