Megi Doçi, sulmuesja e Kombëtares shqiptare dhe e Vllaznisë, është shpallur fituese e çmimit prestigjioz “Topi i Artë” për vajza 2025.
Ky është trofeu i tretë i këtij lloji në karrierën e saj, duke e bërë atë një nga futbollistet më të spikatura në historinë e futbollit të vajzave në vendin tonë.
Në garë për këtë çmim të rëndësishëm ishin edhe futbollistet Xhesika Ndoj (Gramshi), Arbiona Bajraktari (Vllaznia) dhe Xhulia Xhindole (Apolonia).
Trofeu iu dorëzua Megi Doçit nga anëtarja e KE-së dhe kryetarja për futbollin e vajzave Anila Basha. Para dorëzimit të këtij trofe, Basha foli shkurtimisht. “Në fakt i takon të gjitha gocave. Kemi punuar shumë.
Sidomos ky vit ka qenë emocionues për të ndejtur me Kombëtaren shqiptar në Ligën B dhe ia arritëm. Por edhe kampionati shqiptar ka njohur absolutisht zhvillime të jashtëzakonshme, i referohem vajzave. ‘Topi i Artë 2025’ për vajza shkon tek lojtarja jonë Megi Doçi”, tha anëtarja e KE-së dhe kryetarja për futbollin e vajzave Anila Basha.
Pasi mori trofeun, foli edhe fituesja Megi Doçi: “Besoj se u rikthye në duart e asaj që i përkiste. Çdo ‘Top i Artë’, sikurse ‘Këpucë e Artë’ ka emocionet dhe skarificën e saj. Mund, djersë, mungesë të familjes.
Na mungon shumë familja. Për të gjitha këto mungesa është një shpërblim shumë i madh. Falenderoj Vllazninë, familjen, Armir Grimën, shoqet e ekipit, presidenten e federatës, Armand Dukën për mbështetjen e futbollit të femrave. Gazetarë e trajnerë që më kanë mbështetur. Dua të luftojë për ‘Topin e Artë’ në botë”.
