Rolando Maran do ta nisë kapitullin e tij si trajner i Kombëtares në dy ndeshjet miqësore që kuqezinjtë do t’i luajnë përballë Izralit dhe Luksemburgut.
Të enjten, italiani bëri publike dhe zgjedhjet e tij të para, sa i takon lojtarëve që do t’i provojë në këto dy teste të qershorit, ku spikatën pikërisht dy emrat surprizë si Cristian Shpendi dhe Luis Hasa, që ftohen për herë të parë me skuadrën.
Nisja e epokës “Maran” në Kombëtaren shqiptare do të sjellë një revolucion të rëndësishëm taktik, sa i përket rreshtimit që trajneri ka në mendje për të formuar 11-shen e tij fikse në këto përballje të radhës.
Më poshtë do t’iu paraqesim tre versionet me të cilat mund të paraqitet Shqipëria nën urdhrat e teknikut 62-vjeçar, duke marrë në konsideratë dhe listën me lojtarët e grumbulluar.
VERSIONI A (BAZA) 4-2-3-1
Një rreshtim që i jep fleksibilitet planit të Maranit. Para mbrojtjes, Ramadani dhe Laçi funksionojnë si “balancues” në mesfushë, ndërsa Bajrami mban rolin e organizatorit klasik. Në këtë modul loje, Hoxha dhe Mehmeti japin më shumë fantazi, depërtime në krahë dhe “kërcënim” për mbrojtjet kundërshtare, duke ndihmuar po ashtu me shërbime Uzunin si 9-shin kryesor.
VERSIONI B 4-3-2-1
Në këtë rast, ky plan shërben më shumë për të patur më shumë kontroll në mesfushë dhe për të mbrojtur më mirë qendrën.
VERSIONI C — 4-4-2 KLASIK
Një skemë shumë sulmuese, duke shfrytëzuar dhe luftën në ajër. Në këtë rast, duke parë dhe karakteristikat e lojtarëve, Manaj dhe Daku formojnë dyshen sulmuese, me shumë prezencë në zonë dhe lojë ajrore. Bajrami dhe Muçi spostohen më shumë në krahë, ndërsa Ramadani-Asllani mbajnë qendrën.
