Ndihmësi i trajnerit Rolando Maran te Kombëtarja shqiptare, Ervin Bulku ka dhënë së fundmi detaje për dy emrat që janë përfolur për t’u veshur kuqezi, Brajan Gruda dhe Nelson Weiper. Bulku ka zbuluar se Gruda ka kërkuar që kampi i FSHF-së ta “lërë të qetë”, ndërsa për Ëeiper theksoi se nuk pranon të ketë të paktën as bisedë miqësore.
“Duke parë edhe nevojat që ne kemi në skuadër, normal që dera e ekipit kombëtar është gjithmonë e hapur për të gjithë ato që dëshirojnë të përfaqësojnë ekipin kombëtar. Por po të ndalemi në emrat konkretë si Brajan Gruda, ne kemi qenë gjatë gjithë kohës. Ftesa e parë ju ka bërë shumë vite më parë, qëkur ishte 15 vjeç me ekipet kombëtare të moshave, por ai ka vendosur që të përfaqësonte moshat e Gjermanisë.
Jo më larg se dje kam pasur një komunikim, unë personalisht me të, bashkë me trajnerin, dhe na ka komunikuar nga menaxheri i tij që Brajanin duhet ta lëmë të qetë. Dhe të paktën për dy vite ose dhe më shumë, sepse do që të përfaqësojë skuadrën përfaqësuese të Gjermanisë. Ne kemi bërë gjithçka. Është organizuar e gjithë drejtoria teknike dhe deri tek presidenti. Kemi kërkuar që të bëjmë një takim me të, por nuk na është mundësuar nga ana e lojtarit.
Weiper është e njëjta. Ndodhet për momentin në Shqipëri, është me pushime, sepse Shqipëria është e bukur dhe është vendi i tyre. Ndodhet me pushime në bregdetin e jugut. Kemi komunikuar me të afërm të tij, kemi kërkuar që ta takojmë bashkë me trajnerin.
Na ka kërkuar që për momentin jam me pushime dhe nuk mund të kemi një takim ose bisedë miqësore me Weiper. Por mos harrojmë që nuk është momenti i parë që komunikojmë dhe kërkojmë të bëhen pjesë e Shqipërisë. Por Weiper ka vendosur që Europianin që do zhvillohet në vendin tonë, ta zhvillojë me kombëtaren e 21-vjeçarëve të Gjermanisë”, tha Bulku.
