Epoka e Rolando Maran te Kombëtarja shqiptare sapo ka filluar, me teknikun italian i cili mori “frerët” e skuadrës kuqezi të mërkurën kur u prezantua në konferencën për shtyp.
62-vjeçari do të nisë menjëherë nga puna me përzgjedhjen e futbollistëve që do të ftojë në dy miqësoret që Shqipëria do t’i luajë përballë Izraelit më 3 qershor dhe Luksemburgut më 6 qershor.
Në “lupën”e Maran kanë përfunduar një sërë talentësh të cilët nuk kanë marrë minuta me përfaqësueset e tjera dhe për këtë arsye, “timonieri” i ri ka menduar t’i pikasë për t’iu ofruar një mundësi që të veshin fanellën e Shqipërisë.
Një prej tyre është Ron Raçi. Mbrojtësi i cili aktivizohet në kampionatin kroat me Hajdukun e Splitit nuk ka zhvilluar akoma një paraqitje me Kosovën dhe mbetet një profil për t’u studiuar, teksa federata është duke u përpjekur ta bindë për të luajtur me ngjyrat kuqezi.
Raçi luan në qendër të mbrojtjes dhe këmba e tij e preferuar është e majta, cilësi të cilat në skuadrën momentale mungojnë. Sa i takon klubeve të mëparshme, mbrojtësi është aktivizuar po ashtu me Trepçën, Prishtinën, Besën e Pejës dhe Ramiz Sadikun.
