Elseid Hysaj zhvilloi paraqitjen e tij të 100-të me Kombëtaren, në miqësoren përballë Luksemburgut, sfidë kjo e përfunduar me humbje 0-1.
Mbrojtësi u nderua pak para fillimit të takimit me një fanellë të personalizuar nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në shenjë të kësaj ndeshjeje të veçantë.
Lidhur me këto ndjesi dhe faktit që mban dhe statusin e futbollistit me më së shumti prezenca me Shqipërinë, Hysaj ka dhënë një intervistë të shkurtër për kanalin e FSHF-së.
“Po më duket si një fëmijë që fillon me një ëndërr të madhe dhe kjo ëndërr mund të bëhet realitet në çdo moment.
Elsi i vogël se ka menduar kurrë që mund të arrijë të bëjë 100 ndeshje me Kombëtare. Elsi i vogël ishte i kënaqur me thirrjen e parë Kombëtare, tani Elsi i madh është i kënaqur të vazhdojë rekordet.
Me Kombëtaren mund të kesh momente të këqija, momente të mira. Por gjithmonë duhet të mendosh që gjithë familja dhe gjithë njerëzit të mbështesin ty për të ecur përpara se t’i luan për kombin.
Dua që të lë një shenjë në kombin tonë, dua të lë një shenjë për fëmijët e mi që ta dinë se babai i tyre ka arritur një gjë të madhe në Shqipëri.
Krenari mund të jetë fjala që unë mund ta mbyll komplet këtë cikël të 100 ndeshjeve”, tha Hysaj.
