Ylber Ramadani ka dhënë një intervistë për kanalin e Federatës Shqiptare të Futbollit, ku ka komentuar atë se çfarë ndodhi në miqësoren e parë përballë Izraelit, gjendjen momentale të grupit, si dhe qasjen që do të ndiqet për testin e dytë përballë Luksemburgut, sfidë e përcaktuar për t'u zhvilluar të shtunën në orën 20:00.
Po ashtu, mesfushori pati dhe një mesazh për tifozët e Kombëtares, duke thënë se prania e tyre në çdo moment është një faktor force që të japin më të mirën në çdo ndeshje që ata luajnë në fushë.
“Ne e kishim përgatitur ndeshjen për të luajtur ndeshje ofensive, për të sulmuar më shumë kundërshtarin dhe mendoj që një pjesë të lojës, pjesën e parë e bëmë shumë mirë pastaj pjesën e dytë ishim pak më larg njëri-tjerit dhe e bënë golin. Por, trajneri na tha pas ndeshjes që kjo më shërben mua për ndeshjet e ardhshme për ta përgatitur se çfarë mungon dhe pastaj do i praktikojmë edhe gjërat e tjera në ndeshjet.
Atmosfera është fantastike, siç e shihni jemi gjithë bashkë dhe jemi me njëri-tjetrin, dhe ajo është një atmosferë që unë gjithmonë mezi pres me ardh këtu sepse e quajmë shumë mirë me njëri-tjetrin dhe gjithmonë kjo energji pozitive na ka çuar përpara dhe mendoj që në ndeshjen tjetër do ta fitojmë.
Po përgatitemi maksimalisht sepse duam që ta fitojmë ndeshjen dhe të shkojmë në pushime pastaj me kokën e qetë dhe më mbarë. Këto dy ndeshje na shërbejnë shumë sepse duhet ta praktikojmë lojën që na kërkon trajneri për të ardhur në shtator me ndeshjet e radhës që t’i kemi dhe idetë e qarta.
Unë e them gjithmonë që tifozët janë forca jonë dhe pa të ne nuk mund të arrijmë objektivat që kemi dhe të vijnë sa më shumë të na përkrahin pavarësisht se kush luan ose jo në formacion. Them që gjithmonë të vijnë ta përkrahin sepse edhe ne lojtarët nuk e shikojmë kurrë kur thërret kombëtarja. Gjithmonë kemi qenë larg familjes, larg të gjitha gjërave dhe shpresoj që të vijnë të na mbështesin dhe të jemi të gjithë së bashku”, tha Ramadani.
