
Prokuroria e antidopingut ka kërkuar dënim me 4 vjet për Paul Pogba , i cili doli pozitiv me dehidroepiandrosteron pas ndeshjes Udinese-Juventus më 20 gusht. Pogba u pezullua më 12 shtator dhe që prej asaj dite nuk ka shkelur ‘fushë me këmbë’.
Nuk ka asnjë marrëveshje për pranimin e fajësisë, në kundërshtim me atë që ishte përfolur javët e fundit. Mesfushori francez do të shkojë në gjyq përpara gjykatës kombëtare antidoping dhe të përballet me vendimin final.
Pak javë më parë agjentja e tij Rafaela Pimenta tha: "Ne po përgatisim një apel. Si avokat jam personi i parë që them se nëse diçka duhet të diskutohet në një nivel ligjor, duhet të qëndrojë atje. Sigurisht që nuk humbas shpresën."
Gjyqi pritet të fillojë pas rreth një muaji e gjysmë. Me marrëveshjen për pranimin e fajësisë nuk do të kishte pasur mundësi apelimi, megjithatë në këtë rast mund të hynte në lojë edhe CAS e Lozanës më vonë.
Nëse një dënim i tillë prej 4 vitesh pezullim vihet në fuqi, mund të sjellë edhe fundin e karrierës për Paul Pogba i cili është në moshën 30- vjeçare tani dhe vjen pas një serie dëmtimesh të rënda.