Trajneri i Partizanit U-18, Aldo Duro ditën e djeshme ishte ne qendër të vëmendjes së mediave në vendin tonë. timonieri i të kuqve bëri një veprim skandaloz ndaj njërit prej futbollistëve të skuafdrës së tij.
Në sfidën që Partizani U-18 po zhvillonte me Dinamon U-18, Duro shihet teksa përplas në tokë njërin prej futbollistëve të tij, Antonio Pëllumbi, i cili priste të hynte në fushën e lojës. Veprim ky që ka shkaktuar shumë reagime tek tifozët dhe familjarët.
Por nuk ka vonuar as reagimi nga vetë Duro. Ky i fundit nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka kërkuar falje për këtë veprim, ndërsa është shprehur se Pëllumbi është si djalë për të.
“Në lidhje me pamjet e shfaqura gjatë ndeshjes së fundit, dua të shpreh publikisht ndjesën time më të sinqertë për gjestin e tepruar ndaj lojtarit tim.
Ishte një moment i nxitur nga emocionet e forta të ndeshjes, pa asnjë qëllim keqdashës apo mungesë respekti ndaj tij. Ai djalë, ashtu si të gjithë futbollistët e tjerë të ekipit, është për mua si një djalë, një pjesë e familjes sonë sportive me të cilën kemi fituar, kemi humbur dhe kemi kaluar çdo sfidë bashkë. E kuptoj që këto pamje nuk përfaqësojnë as mua personalisht, as frymën e ekipit tonë.
Në ekipin tonë respekti, bashkimi dhe përkushtimi janë mbi gjithçka, dhe do të bëj çmos që situata të tilla të mos përsëriten më.
Faleminderit tifozëve dhe të gjithë atyre që e kuptojnë se futbolli është plot pasion, por mbi të gjitha duhet të mbetet një shembull pozitiv për sportivitetin dhe respektin reciprok. Edhe një herë: ndjesë”, shkruhet në “Insta-Story”.
