
Shkëndija e Tetovës arriti ditën e djeshme të mposhtë Steauan e Bukureshtit me rezultatin minimal 1-0 në shtëpi. Goli i shënuar me kokë nga Alhassan në pjesën e dytë “mban gjallë” ëndrrën e kuqezinjve për kualifikim në turin e tretë të Champions League.
Në përfundimin e takimit, trajneri i Shkëndijes, Jeton Beqiri doli në konferencë për shtyp për mediat.
“Jam i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve. Ishte një ndeshje me një kundërshtar që është favorit, me një kundërshtar që ne e respektojmë dhe do të vazhdojmë ta respektojmë. Për mua më e rëndësishme është që futbollistët e kuptuan se mund të mundim edhe një skuadër të madhe, me traditë shumë të madhe dhe me një histori të jashtëzakonshme.
Por, është një fitore, kemi edhe ndeshjen e kthimit, ne duhet të qetësohemi, të bëjmë analizën dhe të përgatitemi sa më mirë të jetë e mundshme për ndeshjen e kthimit në Bukuresht pas një jave.”
Kartoni i kuq i Qakës? “Është një ndeshje ku ne humbëm një nga futbollistët, por edhe kundërshtari humbi një futbollist të rëndësishëm nga ekipi i vet. Për mua e rëndësishme është që të pushohet mirë, të bëhet një rikuperim i mirë, të mblidhen forcat, të bëhet një analizë dhe të mundohemi që në Bukuresht pas një jave të japim maksimumin.
Besoj se nëse jemi të disciplinuar, nëse vrapojmë shumë dhe nëse arrijmë që disa nga rastet të cilat do të na paraqiten, ti shfrytëzojmë, atëherë jam i mendimit se do të kemi mundësi të mira që të bëjmë ndonjë surprizë.”, u shpreh Beqiri.