Federata e futbollit në Maqedoni ka ndëshkuar Shkëndijën e Tetovës, pas akuzave se në kampionat ka patur favore të cilat kanë cënuar garën mes tyre dhe Vardarit.
Si justifikim për këtë ndëshkim, Federata ka gjobitur kuqezinjtë për organizimin e dobët dhe për sjellje të gabuara të tifozëve. Po ashtu, Komisioni i Disiplinës ka vendosur që të pezullojë dhe dy lojtarët e Shkëndijës, Imran Fetain me dy ndeshje dhe Webster Ronaldo Romario me një ndeshje.
“KF Shkëndija është gjobitur me 5 mijë euro për organizim të dobët, hedhjen e objekteve në fushë, hedhjen e mjeteve të mprehta dhe çakmakësh, dhe hyrje të një personi të paautorizuar në ambientet zyrtare në ndeshjen e KF Shkëndija – FK Pelister, në kuadër të raundit të 20-të të ligës së parë", shkruhet në faqen zyrtare të Federatës.
Në anën tjetër, i njëjti procedim disiplinor ka nisur dhe për skuadrën dhe trajnerin e Vardarit, ku ky i fundit është ndëshkuar me një muaj pezullim.
