Vetëm pak orë na ndajnë nga përballja e mbrëmjes, finalja e Kupës së Shqipërisë ku Dinamo si pritës do të përballet me Egnatian në 19:00 për “kurorën” e kampionit të këtij edicioni.
Krahas ambicies së lojtarëve për të treguar më të mirën në fushën e lojës, ky duel premton spektakël edhe në pankina.
Një “përplasje” në distancë dhe mes trajnerëve Ilir Daja dhe Nevil Dedes, të cilëve nëse iu referohemi numrave, kanë rekorde gati “fotokopje”.
Sa i përket trajnerit të kryeqytetasve, në 10 ndeshje të luajtura përballë Egnatias, ia ka dalë të fitojë 4, të barazojë 3 dhe të humbasë po 3, me një mesatare pikësh 1.50. Sakaq, edhe trajneri i rrogozhinasve flet me të njëjtën “gjuhë”. I vetmi dallim për të është që ka 2 humbje më pak, çfarë tregon se në ndeshjet direkte ndaj këtij kundërshtari nuk e honeps lehtë humbjen.
Duelet direkte nuk kanë shumë nevojë për koment. 6 ndeshje për secilin, dhe i njëjti numër fitoresh, barazimesh dhe humbjesh, 2 për kokë. Kjo finale mund të thyejë edhe “mitin” e ekuilibrave, ndaj pritet me shumë vëmendje se kush prej trajnerëve do të qëllojë më i zoti në formulën drejt fitores.
