
Tirana do të luajë një ndeshje të rëndësishme ndaj Bylisit ditën e nesërme. Bardheblutë do të presin në stadiumin e Vorës ekipin e Ballshit dhe do të bëjnë mes tyre llogaritë e fazës së 1/8-ave të Kupës së Shqipërisë.
Në prag të kësaj përballjeje ka folur Gugash Magani. Timonieri i kryeqytetasve ka theksuar se presioni te skuadra është i madh, por pavarësisht kësaj do të luftojnë për të fituar.
“Presioni është i madh dhe situata nuk është e mirë, gjithsesi unë e thash edhe pas ndeshjes me Vllazninë që humbëm prej gabimeve tona. Në këto momente duhet të jemi të bashkuar, çunat duhet të jenë sa më të qetë, kështu kemi punuar këto ditë. Një skuadër që nuk e mban presion do ketë probleme. Ne do të futemi nesër për tu kualifikuar dhe kam bindjen që do të fitojmë, edhe pse mbetet për ty parë.
Po analizojmë çdo gjë që ndodh, mbaj përgjegjësitë e mia, duhet të menaxhojmë rezultatin, në çdo moment kur je 1-0 dhe ke raste të tjera, duhet të shfrytëzosh raste. Situata është shqetësuese, çdo njeri ka përgjegjësitë e veta, kemi kapacitet të zgjidhim situatën, për 10 ditë besoj jemi të kompletuar. Në qoftë se dokumentacioni është i plotësuar atëherë lojtarët janë gati. Nuk pres asgjë nga merkatoja, topin e kemi ne dhe duhet të luajmë.
Nuk do bëjmë shumë ndryshime nesër, por në bazë të lojës mund të bëjmë për të mirën tonë. Mungesa nuk kemi dhe kjo është një gjë e mirë. E mira do të ishte të luanim në një stadium më të madh, por kjo smë përket mua. Unë do thoja që nuk e bëj për modesti, lojtarët që gabuan, kanë qenë më të spikaturit e skuadrës. Nëse nuk bën gabime njerëzore atëherë nuk je duke luajtur futboll sepse jemi njerëz, por në momentet shumë të veçanta duhet të analizojmë dhe operojmë”, përfundoi Magani.