Dinamo dhe Egnatia do të zbresin në fushë mbrëmjen e sotme, për të zhvilluar “finalen” e parë të këtij sezoni, atë të Kupës së Shqipërisë, e përcaktuar për t’u luajtur në stadiumin “Air Albania” e që pritet të nisë në orën 19:00.
Të dyja skuadrat vijnë në këtë duel, pasi eleminuan nga gara në gjysmëfinale Vllazninë dhe Elbasanin, për të përsëritur kështu një tjetër finale “fotokopje” si ajo e edicionit të kaluar, që pa kryeqytetasit triumfues.
Një përballje plot rivalitet, emocione dhe garë të fortë që do të dhurojë një spektakël të vërtetë për ekipet e udhëhequra nga Ilir Daja dhe Nevil Dede. Oshilacionet i përkasin së kaluarës, ndaj kur bëhet fjalë për të fituar trofe gjithçka lihet pas dhe fokusi mbetet fusha.
