Federata Shqiptare e Futbollit ditën e sotme ka bërë të ditur axhendën e Superiores për 2 javët e ardhshme. Por jo vetëm kaq, pasi kanë zbuluar edhe kalendarin e ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë.
8 ekipet që luftojnë mes tyre në çerekfinale janë njohur edhe me datat dhe orën e sfidave të kthimit. Kështu ndeshjet e kësaj faze do të luhet të gjithë në një ditë. Saktësisht më 4 mars.
Dy takime do të startojnë në orën 16:30, ku Partizani pret Elbasanin në “Arenën e Demave”. Dueli i parë mes tyre ka përfunduar me fitoren 1-0 në favor të “Demave”. Ndërkohë dueli tjetër është përballja Vllaznia – Bylis që do të zhvillohet në “Loro Boriçi”. Sfida e parë mes tyre është fituar nga shkodranët me shifrat 1-0.
Gjithashtu në orën 19:30 do të startojnë dy duelet e tjera. Egnatia pret Teutën në “Egnatia Arena”, me përballjen e parë mes tyre që ka përfunduar në favorin e Egnatias me shifrat 2-1. Dhe çerekfinalja e fundit, por që merr vëmendjen kryesorë të tifozëve është derbi mes Dinamos dhe Tiranës. Takim që do të zhvillohet në “Air Albania”, me “Blutë” e Ilir Dajës që kanë fituar takimin e parë me shifrat 2-0.
Kupa e Shqipërisë, ndeshjet e kthimit, faza 1/4
Partizani-AF Elbasani, 04.03.2026, 16:30, stadiumi “Arena e Demave”
Vllaznia-Bylis, 04.03.2026, 16:30, stadiumi “Loro Borici”
Egnatia-Teuta, 04.03.2026, 19:30, stadiumi “Arena Egnatia”
Dinamo City-Tirana, 04.03.2026, 19:30 Stadiumi “Air Albania”
