Turqit e shohin me rëndësi të madhe sfidën me Kosovën, në sfidën e së martës në “Fadil Vokrri”. Gabimet do të ishin fatalitet për skuadrën e Vincenzo Montellës, i cili përtej faktit që në këto finale ka ngulmuar se duhet dhënë maksimumi për të prekur Botërorin, është i vetëdijshëm dhe për forcën që ka kundërshtari përballë.
Në konferencën për shtyp, trajneri italian nuk i kurseu në asnjë moment vlerësimet për Përfaqësuesen e Kosovës, duke thënë me bindje se kanë ardhur me meritë deri në këtë pikë të kualifikuesve.
“Kosova e ka merituar ardhjen deri këtu. Nga pikëpamja taktike dallohet qartë çfarëm strukture kanë. Kanë lojë dhe ide të qarta. Do bëjmë më të mirën, pasi e dimë se çfarë duam të bëjmë”, ka deklaruar Montella.
Presioni në radhët e turqve është i dukshëm, pasi një tjetër dështim hipotetik do të çonte vitet në 24 që kur kjo skuadër kombëtare ka marrë pjesë në këtë turne madhor.
“Kjo është një finale. Shumica e lojtarëve tanë as nuk kishin lindur atëherë, e nëse nuk është bërë e mundur një gjë e tillë, ata nuk kanë përgjegjësi. Ndryshon situata këtë herë pasi duam të shkojmë dhe të bëjmë më të mirën për vendin”, përfundoi italiani.
