Interi ka vendosur një rekord unik në historinë e Kupës së Botës, pasi për herë të 12-të radhazi do të ketë një futbollist në finalen e turneut, duke lënë pas Bayern Munich. Seria vazhdon falë Lautaro Martinez, i cili me golin ndaj Anglisë dërgoi Argjentinën në finalen kundër Spanjës.
Tradita e zikaltërve nisi në vitin 1982 kur Italia triumfoi ndaj Gjermanisë Perëndimore dhe në formacionin e “Azzurrëve” ishin pesë lojtarë të Interit: Giuseppe Bergomi, Gabriele Oriali, Alessandro Altobelli, Ivano Bordon dhe Gianpiero Marini. Në vitin 1986 ishte Karl-Heinz Rummenigge me Gjermaninë Perëndimore ndërsa në 1990 Interi u përfaqësua me treshen gjermane Lothar Matthaus, Andreas Brehme dhe Jurgen Klinsmann.
Në finalen e vitit 1994 ishte Nicola Berti i cili përfaqësoi zikaltërit me Italinë, në vitin 1998 dhe 2002 ishin Youri Djorkaeff dhe Ronaldo Nazario. Në 2006 ishte Marco Materazzi që përfaqësoi Interin duke triumfuar në finale me Italinë. Në 2010 ishte Wesley Sneijder që shkoi në finale me Holandën, në 2014 Argjentina kishte tre lojtarë zikaltër në rradhët e saj me Rodrigo Palacio, Ricky Alvarez dhe Hugo Campagnaro.
Në 2018 ishin Ivan Perisic dhe Marcelo Brozovic që përfaqësuan Interin me Kroacinë në finalen kundër Francës. Në 2022 ishte Lautaro Martinez me Argjentinën që fitoi titullin e tretë botëror dhe tani në 2026 me golin në minutën e 92-të e dërgoi Argjentinën përsëri në finale duke zgjatur këtë rekord historik.
