Norvegjia dhe Franca do të sfidojnë njëra-tjetrën mbrëmjen e sotme, në kuadër të takimit përmbyllës të grupit I.
Një përballje e tillë, më shumë pritet ta ketë fokusin te rivaliteti në sulm mes Erling Haaland dhe Kylian Mbappe, pasi nëse i referohemi pikëve, si nordikët ashtu edhe “Gjelat” janë të kualifikuara në raundin tjetër, pra atë të 1/32-tat me eliminimin direkt.
Krahas vëmendjes që do t’i kushtohet fushës, një tjetër histori “frymëzuese” ndodhet në prapaskenë, më saktë në pankinën e Norvegjizë. Fjala është për trajnerin Stale Solbakken, i cili sot drejton skuadrën e tij në Botërorin e tyre të parë historik.
E gjithë historia “rrëqethëse” konsiston me një moment dramatik të cilin vetë Solbakken e përjetoi në vitin 2001 kur asokohe ishte futbollist aktiv dhe gjatë një seance stërvitore me ekipin e Copenhagen, pësoi një arrest kardiak. Plot 7 minuta, norvegjezi ishte në vdekje klinike dhe ndërhyrja e stafit mjekësor ishte vendimtare në rikthimin e tij në jetë.
Tashmë kanë kaluar 25 vite dhe sot Solbakken është në stol, më i motivuar se kurrë dhe me një “fenomen” si Haaland në sulm, tek i cili mund t’i besojë marshin drejt një rrugëtimi të jashtëzakonshëm. Fillimisht, duhet kaluar edhe pengesa më e vështirë e grupit, ajo ndaj Francës. Edhe pse në letër, nuk janë favoritë, “Vikingët” shpresojnë te një shpërthim i sulmuesit të Manchester Cityt, i cili momentalisht është në kuotën e 5 golave.
